Gjermania po nxit krijimin e qendrave të kthimit për të përpunuar kërkesat për azil jashtë vendit për azilkërkuesit në shtetet afrikane, sipas një modeli që konsiderohet si një kopje e marrëveshjes së Italisë me Shqipërinë në vitin 2023.

Gjermania po nxit përpjekjet brenda BE-së për të ngritur këto qendra kthimi në Afrikë, në stilin italo-shqiptar, me pjesëmarrjen e disa vendeve të BE-së për të përshpejtuar procesin e riatdhesimeve.

Burime diplomatike në Bruksel shprehen se ka patur “përparim” në bisedimet e iniciuara nga gjermanët për të krijuar këto kampe azilkërkuesish, nga ku mund të kthehen përsëri në Afrikë në mënyrë efektive emigrantët e parregullt.

Aktualisht po zhvillohen diskutime me ato që konsiderohen si shtete të sigurta afrikane për migrantët që nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

Komisioni Evropian ka propozuar në muajin mars krijimin e mekanizmit për deportimin e azilkërkuesve jashtë BE-së, duke krijuar një sistem të unifikuar dhe duke hapur rrugën për ngritjen e “qendrave të kthimit” në vendet e treta. Mediat gjermane ftojnë lexuesit që të imagjinojnë një egjiptian që niset për të ardhur në Evropë dhe e dërgojnë në Uganda.

Propozimi është aktualisht nën diskutim nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, me kryeqytetet e BE-së që synojnë të përcaktojnë një qasje të përgjithshme mbi këtë çështje brenda muajit dhjetor.