Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë ka dorëzuar sot pjesën e parë të pajisjeve mjekësore për të mbështetur Kosovën dhe Malin e Zi në përpjekjet e tyre kundër pandemisë COVID-19. Mes këtyre pajisjeve kishte maska kirurgjike, dorëza njëpërdorimshe dhe syze mbrojtëse.

“Mallrat mjekësorë përfshijnë kryesisht pajisje mbrojtëse personale si: maska FFP2, maska kirurgjike, dorëza njëpërdorimshe dhe syze mbrojtëse. Kjo do të ndihmojë personelin mjekësor për të mbrojtur veten nga infektimi me COVID-19 kur trajton pacientët”,- thuhet në një komunikatë të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR – të cilën kanë ndihmuar në shpërndarjen e ndihmave.

Kjo është ndihma më e madhe individuale e qeverisë gjermane e cila dedikohet për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe forcat e armatosura të Malit të Zi, personeli mjekësor i së cilave do të punojë në spitalet civile dhe do të kontribuojë në kujdesin shëndetësor të qytetarëve. Në njoftim thuhet se një seri e dytë e pajisjeve do të arrijë përmes transportit rrugor, i cili përmban më shumë se 10 tonë ndihma.

Kosova dhe Mali i Zi gjatë muajve të fundit kanë shënuar rritje të numrit të të infektuarve dhe të vdekurve nga koronavirusi i ri. Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë janë infektuar gjithsej 15.705 persona, prej të cilëve 13.731 janë shëruar, ndërsa 627 kanë vdekur. Raste aktive janë 1.347.
Ndërsa në Mal të Zi, që nga fillimi i vitit janë regjistruar 11,690 të infektuar, prej tyre 172 kanë vdekur. Aktualisht janë 3.900 raste aktive.