Gjermania po përballet me një krizë në tregun e punës, ndërsa numri i punonjësve të kualifikuar po bie për shkak të daljes në pension të brezit të vjetër dhe mungesës së të rinjve vendas për të zëvendësuar pozicionet e lira.

Për të përballuar këtë sfidë, vendi po i drejtohet gjithnjë e më shumë fuqisë punëtore nga India.

Sipas një raporti të publikuar së fundmi, ekonomia gjermane ka nevojë për rreth 288 mijë punonjës të huaj çdo vit për të shmangur tkurrjen e fuqisë punëtore me rreth 10% deri në vitin 2040. Shkaku kryesor mbetet plakja e popullsisë dhe niveli i ulët i lindjeve.

Një nismë konkrete nisi në vitin 2021, kur një organizatë në Gjermaninë jugperëndimore mori një ofertë nga një agjenci indiane punësimi për të sjellë të rinj të motivuar në programet e formimit profesional. Në atë kohë, shumë punëdhënës gjermanë po përballeshin me vështirësi serioze për të gjetur punonjës.

Një nga sektorët më të prekur ishte ai i kasapëve, ku numri i bizneseve familjare ka rënë ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit. Të rinjtë gjermanë kanë treguar pak interes për këtë profesion, i cili konsiderohet i vështirë dhe kërkues.

Në vitin 2022, grupi i parë prej 13 të rinjsh indianë mbërriti në Gjermani për të nisur praktikën profesionale në këtë sektor. Sot, ky numër është rritur në rreth 200 punonjës indianë që punojnë në dyqane mishi në të gjithë vendin.

Ky bashkëpunim është zgjeruar më tej pas marrëveshjes për migracionin dhe mobilitetin e nënshkruar midis Gjermanisë dhe Indisë në vitin 2022. Në fund të vitit 2024, Gjermania rriti gjithashtu kuotën e vizave për punëtorët e kualifikuar indianë nga 20 mijë në 90 mijë në vit.

Të dhënat zyrtare tregojnë një rritje të ndjeshme të numrit të punonjësve indianë në Gjermani, nga rreth 23 mijë në vitin 2015 në mbi 136 mijë në vitin 2024.

Për shumë të rinj indianë, vendimi për të emigruar lidhet me mundësitë më të mira ekonomike, pagat më të larta dhe sigurinë sociale që ofron Evropa. Disa prej tyre, si praktikantët në sektorë të ndryshëm nga ndërtimi deri te furrat e bukës, theksojnë se të ardhurat në Gjermani u lejojnë të mbështesin financiarisht familjet e tyre në vendlindje.

Nga ana tjetër, punëdhënësit gjermanë e konsiderojnë këtë bashkëpunim jetik për mbijetesën e bizneseve të tyre. Në disa raste, sipërmarrësit lokalë deklarojnë se pa fuqinë punëtore nga India, aktiviteti i tyre do të ishte mbyllur.

Autoritetet vendore gjithashtu po ndjekin këtë trend. Në disa qytete, janë ndërmarrë hapa për të rekrutuar punonjës indianë edhe në sektorë publikë, si arsimi parashkollor, për shkak të mungesës së stafit vendas.