Pasi kamerat janë fikur në sallën e Pallatit të Brigadave, aty ku u zhvillua sot mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, biseda me deputetët është çtensionuar dhe Rama ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend.
Por para se të fliste për ndryshimet në qeveri dhe për çështjet që po avancojnë në SPAK, diskutimi në sallë ka marrë një rrjedhë tjetër të pazakontë në lidhje me presionin që vjen nga BE. Një burim në mbledhje tha për Lapsi.al se kryeministri ka qenë i rezervuar, por ai ka nxjerrë një shqetësim në lidhje me qasjen e Gjermanisë ndaj mazhorancës në pushtet.
Rama mësohet t’u ketë thënë deputetëve se qeveria gjermane në këto momente po bën disa lëvizje kundër interesave të Shqipërisë. Në veçanti, tha burimi për Lapsi.al, Rama ka folur për ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, që sipas kryeministrit ka ndikuar në nxitjen e SPAK për hetimet e dy çështjeve, atë të AKSHI-t dhe tani për hetimin e tenderit të Porto Romanos në Durrës.
“Po shfrytëzojnë dobësitë tona për të na penguar” mësohet të jetë shprehur Edi Rama në mbledhje, duke u përqëndruar në ndikimin e Gjermanisë në sistemin gjyqësor.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johan Wadephul ishte në nëntor të vitit të kaluar në Tiranë dhe përveç Elisa Spiropalit, ai takoi edhe shefin e SPAK, Altin Dumanin. I pyetur atëherë lidhur me përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, Wadephul tha se, “SPAK-u në këndvështrimin tim është duke bërë një punë vërtetë mjaft të shkëlqyer dhe në këtë drejtim kam pasur mundësinë që të bindesha dhe njëherë përmes bisedës që zhvillova me drejtuesin e kësaj strukture, ku konstatova që kjo strukturë prokurorie merr një mbështetje mjaft të madhe përmes qeverisë”.
Dosja e AKSHI-t ka në qendër të saj Ergys Agasin, një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit, person të cilin ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj e cilësoi “koordinator të krimit” në kryeministri.
Agasi është shpallur në kërkim për përfitimin e dhjetëra miliona eurove në mënyrë të paligjshme në tenderat e AKSHI-t, ndërsa hetimet e SPAK zbuluan pengmarrjen e biznesmenit Gerond Çela, i cili ishte ankuar për manipulimet me garën e tenderave.
Ndërkohë është ende e paqartë nëse ka një hetim për tenderin e Porto Romanos në Durrës, aty ku janë skualifikuar disa nga kompanitë më të mëdha të Bashkimin Europian në këtë fushë. Konsorciume me famë botërore morën pjesë në tender por u skualifikuan për arsye qesharake, duke shpërfillur interesin e qeverive europiane.
I vetëm në garë ka mbetur konsorciumi “Archiridon..”, një kompani offshore e regjistruar në Qipro, gjurmët e të cilës të cojnë në Emiratet e Bashkuara./Lapsi.al





