24 janar 2015 – Ndoshta nuk do të jetë një lamtumirë aq e dhimbshme sa ajo e Philip Lahm por Gjermanisë që pas Euro 2016 do t'i duhet të bëjë pa Lukas Podolskin. Sulmuesi i ri i Interit deklaroi se ai po planifikon të tërhiqet nga përfaqësuesja pas kampionatit europian që do të luhet në Francë pas më shumë se një dekade që luan për pancerat. 29-vjecari ka regjistruar plot 121 prezenca me Gjermaninë ku ka debutuar që në 2004-ën dhe turneu në Francë do të jetë Kampionati i katërt Europian për të. Podolski ishte pjesë e skuadrës që ngriti lart Kupën e katërt të Botës për Gjermaninë verën e kaluar në Brazil, por luajti vetëm në fazën e grupeve dhe nuk gjen dot një vend titullari të rregullt te Die Manschaft që nga Euro 2012.
"Kampionati Europian do të jetë turneu i fundit madhor për mua", – deklaroi Podolski për "Bild" duke shtuar, – "Tashmë e kam arritur synimin tim të madh, fitimin e Kupës së Botës. Askush nuk mund ta marrë atë prej meje".
Gjermania që dominoi në verën e kaluar në Brazil, ka hasur vështirësi në fushatën eliminatore të Euro 2016 dhe renditet në vendin e tretë në grup pas një disfate shokuese të pësuar nga Polonia dhe një barazimi me Republikën e Irlandës.





