Një projekt-ligj i diskutueshëm për legalizimin e përdorimit rekreativ të drogës kanabis u zbulua të mërkurën nga Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach pasi u miratua nga kabineti gjerman.
Mbrojtësit e përdorimit të ligjshëm të kanabisit në qeverinë e koalicionit gjerman synojnë të legalizojnë drogën këtë vit, por do të përballen me rezistencë nga ligjvënësit konservatorë.
Çfarë thanë ministrat?
Lauterbach e quajti projektligjin një “pikë kthese” pas politikave mbi kanabisin që “për fat të keq kishin dështuar”. Megjithatë, ai theksoi se përdorimi i drogës nuk ishte pa rrezik.
“Askush nuk duhet ta kuptojë ligjin gabimisht. Konsumi i kanabisit do të legalizohet, por ai mbetet i rrezikshëm,” tha ai në një deklaratë të përbashkët nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Bujqësisë.
Ai tha se qëllimi ishte frenimi i tregut të zi dhe kriminalitetit të lidhur me drogën, tregtia me substanca të falsifikuara ose toksike dhe numri i konsumatorëve.
“Mbrojtja e fëmijëve dhe adoleshentëve është një element qendror i të gjithë projektit legjislativ,” thuhet në deklaratë, duke iu referuar një fushate informuese për të rinjtë “Ligjore, por …” që do të nisë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministri i Bujqësisë Cem Özdemir e quajti projektligjin “një hap të rëndësishëm drejt një politike progresive të drogës me bazë realitetin”.
Ai tha se ligji “i vonuar” do të shërbente për dekriminalizimin e shumë njerëzve që përdorën kanabisin vetëm për qëllime private, si dhe për të rritur mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.