Gjermania pritet të mbajë zgjedhje të reja më 23 shkurt pas arritjes sot të marrëveshjes mes fraksioneve parlamentare të social demokratëve kryesues, dhe grupit kryesor opozitar CDU/CSU.

Data ka nevojë për konfirmim nga presidenti Frank-Walter Steinmeier, por kjo konsiderohet vetëm si një formalitet.

Zgjedhjet pritet të sjellin qartësi mes konflikteve të ndryshme brenda dhe mes partive gjermane, pas prishjes së koalicionit tre-palësh javës që shkoi.

Qeveria ra pasi kancelari social-demokrat Olaf Scholz, shkarkoi ministrin e financave Christian Lindner, i partisë pro-biznes FDP, pas një debati të gjatë për buxhetin e ri.

Kjo bëri që ai të humbiste maxhorancën dhe rrjedhimisht aftësinë për të qeverisur.

Data konsiderohet gjithashtu si një kompromis mes opozitës konservatore që kërkonte votën në janar, dhe grupit te Scholz, që tha se vota në mars do t’i jepte zyrtarëve kohën e duhur për të përgatitur zgjedhjet për 60 milionë votuesit e vendit.

Zhvillimi vjen teksa ekonomia më e madhe e Evropës po tkurret për vitin e dytë radhazi dhe inflacioni ka goditur portofolin e shumë gjermanëve.

Qeveria e re do të duhet të përballet me krizat e inflacionit, përfshirjen në luftën në Ukrainë dhe probleme të mundshme ekonomike me Kinën apo prej ardhjes së Trump në SHBA.