Brazil, 14 korrik 2014 – Gjermanët janë shpallur kampionë të botës për herë të katërt në historinë e tyre. Botërori “Brazili 2014” është mbyllur me një finale të jashtëzakonshme mes Gjermanisë dhe Argjentinës, por në fund ishin europianët që triumfuan.
Mario Goetze ishte heroi i gjermanëve duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 113. 90 minutat e kohës së rregullt nuk mjaftuan për të vendosur fituesin, pavarësisht një loje me një ritëm të lartw dhe rasteve të shumta për shënim për të dyja ekipet.
Trajneri i Gjermanisë, Joachim Loew bëri lëvizjen e duhur në minutën e 88, duke zëvendësuar veteranin Klose me talentin e padiskutueshëm Mario Goetze, i cili bëri mrekullinë për gjermanët, duke lëshuar një goditje të pakapshme për portierin Sergio Romero.
Ashtu si 24 vjet më parë, edhe këtë herë i takoi Argjentinës të dalë kokëulur dhe e përlotur nga finalja e një botërori.
Kjo sfidë shihej nga të gjithë si ndeshja e Messit, por ‘pleshti’ edhe pse ka fituar 4 herë Topin e Artë tregoi se nuk është i njëjti me atë që luan me fanellën e Barcelonës dhe gjithmonë e më larg se Maradona i Botërorit 1986.
Me Higuan dhe me Palasio-n në pjesën e dytë, Sabella u mundua që ta fitonte këtë finale, por taktikat e tij nga bankina dhe ato të Mascherano në fushë nuk arritën të thyenin Gjermaninë e Loew, e cila me lojtarë si Lahm, Muller, Schweinsteiger dhe Klose zhvilloi një botëror për t’u mbajtur mend gjatë.
Janë ata skuadra më e fortë në botë, janë ata kampionët e botës, ndërsa Argjentina, Messi, Mascherano, Higuain dhe Sabella kthehet duarbosh në shtëpi.
Në foto përshkruhet festa në stadiumin 'Maracana', 80 mijë gjermanë qw festojnë në Rio, si dhe momentet kur ngrihet kupa e botës nga fituesit. Po ashtu në këtë kampionat janë dhënë edhe çmimet, ku Nojer shpallet portieri më i mirë i Kupës së Botës, Lionel Mesi shpallet futbollisti më i mirë i Botërorit dhe Rodriguez merr 'Këpucën e Arte' me 6 golat e shënuar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





