Në një lëvizje të paprecedentë, Gjermania po shqyrton seriozisht tërheqjen e 1200 ton ar nga Rezerva Federale në Nju Jork, për shkak të shqetësimeve në rritje për politikat e paparashikueshme të Donald Trump.
Rezerva e arit gjerman, e dyta më e madhe në botë pas asaj të SHBA-së, është ruajtur për dekada në kasafortën nëntokësore të Rezervës Federale në Manhattan. Por pas rikthimit të mundshëm të Trump në pushtet dhe qëndrimeve gjithnjë e më jomiqësore ndaj aleatëve tradicionalë, Berlini duket se po mendon të rishikojë marrëdhënien e tij me Uashingtonin.
Sipas gazetës Bild, figura të rëndësishme brenda partisë CDU – e cila pritet të udhëheqë qeverinë e re gjermane – kanë filluar diskutimet për rikthimin e arit në tokën gjermane. Kjo nismë është parë si një masë paraprake për të shmangur çdo ndalim apo kufizim të mundshëm të aksesit ndaj rezervave nga SHBA, në rast të një krize politike apo financiare.
Një sinjal i fortë mosbesimi
Kjo nuk është hera e parë që Berlini mendon të sjellë arin në shtëpi. Në vitin 2017, Banka Qendrore Gjermane përfundoi një plan për rikthimin e një pjese të konsiderueshme të rezervave të saj nga Parisi dhe Nju Jorku. Por këtë herë, motivimi duket më i thellë dhe i lidhur ngushtë me klimën e re gjeopolitike dhe rrezikun e një aleati jo të qëndrueshëm siç shihet SHBA nën drejtimin e Trump.
Ky veprim i mundshëm është një sinjal i qartë se vendet evropiane mund të ripozicionohen strategjikisht, duke e parë më pak Uashingtonin si partnerin kryesor dhe më shumë si një faktor që duhet menaxhuar me kujdes në çështjet e sigurisë dhe ekonomisë globale.