Kryeministri ka hequr nga Censusi kapitullin për papunësinë, në një kohë që shifrat e papunësisë në vend janë tronditëse. Këtë denoncim e ka bërë deputetja socialiste për Tiranën, Eglantina Gjermeni, e cila në një deklaratë për mediat bëri një pasqyrë të detajuar se çfarë po ndodh në njësitë e kryeqytetit. Sipas saj, Tirana është një nga qytetet e vendit që po njeh rritje të papunësisë.

“Ndërkohë në të gjithë Tiranën është rritur papunësia dhe krimi po rritet në nivele kritike. Problemet e qytetit sa vijnë e shtohen si pasojë e mospërfilljes kriminale të pushtetit. Me dy mandate të vjedhur, qeveria qendrore dhe lokale vazhdon të mbetet e shurdhër përpara problemeve dhe nevojave të qytetarëve. Gjendja aktuale në kryeqytetin e vendit, përveç se është e papranueshme në çdo vend normal, është edhe një pasqyrë e mjerë e realitetit të shqiptarëve që kanë kryeministër Sali Berishën.

Kryeministri që urdhëroi heqjen nga Censusi të kapitullit të papunësisë, për të fshehur se papunësia në vend prek më shumë se 1 milion të papunë, për t’u hedhur hi syve shqiptarëve për një realitet që e jetojnë përditë. Ky është një tjetër skandal madhor që i duhet faturuar këtij pushteti të korruptuar”,- ka denoncuar Gjermeni.