Tiranë, 31 mars 2014 – Në një intervistë për “Panorama” ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, shprehet se ligji i ri për turizmin do të shtojë hapësirat e plazheve publike në vend. Ministrja thotë se në plazhet e vendit do të ketë kritere strikte për vendosjen e dusheve dhe kabinave të zhveshjes për çdo 50 çadra, gjë që do të rrisë kushtet për plazhistët.

“Për herë të parë përcaktohen kritere të qarta, të detyrueshme për të gjithë, ku stacionet e plazheve publike do të shpërndahen në mënyrë proporcionale me ato private. Qytetarët nuk do të jenë më të detyruar të paguajnë para në sipërfaqet e plazheve, që shpesh kanë qenë të uzurpuara tërësisht nga privatë. Në këtë mënyrë afrohet alternimi i plazheve publike me ato private, duke rritur numrin e plazheve publike, por edhe hapësirat publike brenda plazheve private. Kjo bëhet e mundur pasi VKM-ja përcakton qartë largësinë e çadrave nga bregu i detit, në mënyrë që të lihet hapësira e duhur e distancës për pushuesit. Pra, është parashikuar lënia e një hapësire në brezin e parë të plazhit, në dispozicion të publikut, për t’u përdorur nga pushuesit me pajisjet e veta”,– thote ministrja.

Sipas saj, për çdo 50 çadra, duhet të ketë të paktën një dush dhe 2 kabina zhveshjeje.

“Vendimi i porsamiratuar përcakton se largësia e vendosjes së çadrave nga njëra-tjetra nuk duhet të jetë më pak se 7.5 metra. Një tjetër element shumë i rëndësishëm është reklamimi i çmimit për çdo shërbim që ofrohet, në mënyrë të dukshme për publikun. Duke qenë vend anëtar i Organizatës Botërore të Turizmit, kemi propozuar që veprimtaria të ushtrohet në zbatim të Kodit Botëror të Etikës në Turizëm”,- thote ajo.

Ministrja shton me tej se kriteret që duhet të përmbushen për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit, janë konform standardeve evropiane.

Sipas saj, monitorimi i zbatueshmërisë së kritereve të miratuara do të kryhet nga ne si Ministri e Zhvillimit Urban edhe Turizmit, nga njësitë e qeverisjes vendore, si edhe nga vetë qytetarët.

“Njësitë e qeverisjes vendore e kanë përgjegjësi të tyren zbatimin, po nga ana tjetër ne si Ministri do të sigurojmë që ky proces monitorimi të kryhet në mënyrë të vazhdueshme edhe rigoroze për të pasur shërbime më cilësore për qytetarët. Agjencia Kombëtare e Bregdetit, si një institucion varësie i Ministrisë, ka si objekt të punës së saj garantimin dhe promovimin  e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në zonat bregdetare”– thotë ajo.

/gazeta “Panorama”/