Carlo Ancelotti mund të jetë trajneri më i qetë në botë, por nuk është i pagabueshëm. Numri 1 i stolit të FC Bayern-it rrezikon të dënohet nga Federata Gjermane e Futbollit, pasi i ka drejtuar gishtin e mesit një tifozi të Hertha Berlin-it. 57-vjeçari e bëri këtë gjest të pahijshëm pas ndeshjes së të shtunës, Hertha Berlin-FC Bayern, e mbyllur në barazim 1-1, si një përgjigje ndaj një tifozi vendës, i cili e përshtyu. Pas golit të Robert Lewandowski-t në të 96′, tifozët shpërthyen në fyerje në “Olympiastadion” për minutat shtesë. E gjitha kjo gjendje tepër e ngarkuar goditi edhe trajnerin Ancelotti, i cili ka shpjeguar se reagimi i tij ndodhi vetëm si pasojë e faktit që dikush e pështyu.

Revista gjermane “Kicker” shkruan se ai tashmë mund të dënohet, ashtu si portieri i Hertha-s, Rune Jarstein. Ky i fundit, në nerva e sipër, gjuajti topin fort drejt mesfushorit Xabi Alonso, kështu që DFB-ja do të ketë punë dhe me të. Vendësit për pak sekonda do të mund të bëheshin skuadra e dytë në Gjermani, e cila mposht kampionët në këtë sezon, por nuk ia dolën.