Kristiano Ronaldo me sa duket ka filluar të ndjejë trysninë e faktit që edhe pse është ylli më i njohur i futbollit në Arabinë Saudite, nuk po arrin të fitojë trofe me klubin e Al Nasr. Kjo u pa qartësisht nga reagimet e portugezit pas ndeshjes së djeshme në Riad mes Al Nasr dhe Al Hilal, të fituar nga ky i fundit me shifrat 2-0. Edhe pse bëhej fjalë për një turne miqësor, Ronaldo u duk i nervozuar pas përfundimit të sfidës, duke turfulluar gjatë ceremonisë së medaljeve. Por disa pamje që kanë nisur të qarkullojnë në rrjet, tregojnë se turfullima para kamerave nuk ishte e vetmja gjë.

Duke dalë nga fusha, tifozët e Al Hilal me sa duket e ngacmuan dhe disa prej tyre hodhën fanellat e klubit në drejtim të tij. Ronaldo mori një prej tyre dhe e fërkoi në organet gjenitale, duke e hedhur më pas tutje. Një skenë e pahijshme e portugezit që ka bërë xhiron e rrjetit dhe padyshim do të sjellë shumë polemika në një vend konservator siç është Arabia Saudite e ku sjellje të tilla, për personat normal, mund të kenë pasoja të rënda para ligjit. Por kur bëhet fjalë për Ronaldon, shpesh ligji… përkulet.