DURRËS, 21 tetor 2014–  Një gjest dashurie ndaj familjes së tij mund t’i kushtojë jo pak Taulant Xhakës në kampionatin zviceran, aq më tepër që mediat serbe me zor presin për të hedhur baltë mbi futbollistët e kombëtares sonë.

Pas ndeshjes me Young Boys, Xhaka vendosi dorën në zemër dhe më pas me krahun e shtrirë përshëndeti nga tribuna, duke dashur të përshëndesë familjarët e tij që ishin të pranishëm në stadium, si për t’i treguar se i mban në zemër. Por gjesti i tij është keqinterpretuar nga ana e Federatës Zvicerane, e cila ka vendosur të hap një hetim ndaj tij.

Sipas gazetës zvicerane “Blick” në mendjet e njerëzve janë ende të freskëta imazhet e dhunës në Serbi-Shqipëri, dhe Xhaka është keqkuptuar sikur ka dashur të lëshojë një mesazh ndaj serbëve, aq sa këto të fundit kanë nxituar menjëherë ta etiketojnë veprimin e Taulantit si përshëndetje naziste, aq sa e përditshmja “Kurir” i  kushton dhe titullin kryesorë.

Gjithsesi sipas drejtuesve të Baselit, nuk pritet të ketë asnjë masë ndëshkimore ndaj futbollistit pasi gjithcka të sqarohet me drejtuesit e Ligës zvicerane.