28 dhjetor 2014 –  Mike Gjetan Keta arriti një fitore historike më 18 tetor në vendlindjen e tij në Bulqizë përballë rusit Marat Kuzev ndërsa mbrojti titullin e tij të peshave të mesme si kampion i Euro-Azisë dhe Pacifikut. Por kampioni kuqezi thekson se ëndrra e tij është që të ngjitet në majën e botës dhe kjo mund të ndodhë në vitin 2015. Këtë e konfirmoi vetë Keta në një intervistë për “Sport News” rreth pritshmërive dhe projektit sportiv gjatë 12 muajve të ardhshëm. “2014-n e mbylla me sukses dhe në 2015-n dua të shpallem kampion bote. Ndeshja e radhës do të zhvillohet në SHBA.

Po bisedojmë që ndeshja të zhvillohet në fund të shkurtit”. Mes të tjerash, vëllai i vogël i familjes Keta shton se ende nuk ka një emër kundërshtari sepse palët janë në bisedime. Në vijim, boksieri nga Bulqiza rikthehet te sfida e muajit tetor në qytetin e tij të lindjes ku hodhi në nokaut në raundin e tretë sfidantin Marat Kuzev.

“Për mua ishte një kënaqësi, një ëndërr që doja ta arrija dhe ia arrita në Bulqizë duke e promovuar atë vend dhe duke promovuar Shqipërinë”. Në fund të intervistës, Gjetani e pranon se mbështetja e madhe në Bulqizë nga banorët vendës, por edhe nga gjithë shqiptarët që ishin të pranishëm atë mbrëmje, i dha kurajë për ta fituar atë përballje. Pak ditë më parë, “dinastia” Keta dhuroi për Bashkinë e Bulqizës në formën e donacionit plot 44 milionë e 650 mijë lekë. I gjithë ky fond ishte siguruar nga të ardhurat e mbledhura nga shitjet e biletave nga ai duel. Vëllai i madh i tij, Ismail Keta, i nderuar së fundmi nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me titullin “Mjeshtër i Madh”, u shpreh se e kishin premtuar dhe e bënë realitet donacionin në ndihmë të rinisë bulqizake.