Humbja e Skënderbeut në Vlorë edhe pritej, nisur nga fakti se kishte disa mungesa titullarësh, se Flamurtari ka “ndërruar” marsh pas marrjes së rrogave të prapambetura, por që të humbisnin të dy kryesuesit në një ditë, kjo kërkon të ishe Nostradamus, që ta parashikoje. Sidomos pas rezultateve të fundit zhgënjyese të të kuqve dhe humbjes së kreut prej tyre. E vërteta është se korçarët humbën me rezultatin 3-1 në qytetin bregdetar, një rezultat në “kokë”, që është luajtur jo pak në kompanitë e huaja të basteve.
Njëra ndër to, është një kompani bastesh angleze, ku një person, i cili nuk identifikohet, ekspozon në këtë video shoqëruese të shkrimit skendinën e tij, ku me 700 euro ka fituar gati 12 mijë euro, pasi koefiçienti ka qenë 17. Atij i ka buzëqeshur fati në këtë pragfundviti, të mbushur me festa, por a ka të tjerë që janë “burimi” i informacionit, shumë i sigurtë sipas tij, që e kanë shijuar me këtë “gjuhë” ndeshjen e Vlorës.
Vështirë të thuhet, sepse gjithmonë nuk ka fakte, por kjo skedinë e “çmendur”, e bashkëlidhur me macen që prishi ndriçimin e “Qemal Stafës”, para se të startojë ndeshja Partizani-Teuta, që ajo të mbaronte pas asaj të Vlorës, duket një kombinim që do ta kishte zili ta përftonte në kushte laboratorike edhe më shkencëtari…