30 ditë paraburgim i janë caktuar shtetasit A.Q nga Prizreni, i cili 3 ditë më parë rrahu vajzën e tij. Shkak për dhunën është bërë fakti që i ati ka gjetur vajzën e tij duke pirë cigare.

“Më datë 01.09.2019, rreth orës 23:45 minuta, në Prizren saktësisht në shtëpinë e tij familjare, me qëllim që t’ i shkaktojë lëndime trupore vajzës së tij me iniciale K.K., në atë mënyrë që pasi i pandehuri e kishte vërejtur të dëmtuarën duke konsumuar cigare, fjaloset me të dhe në ato momente e godet në mënyrë të befasishme me grushte në regjionin e fytyrës dhe duke kaluar më tutje në sjellje flagrante, duke e detyruar që të qëndrojë e ulur derisa e sulmonte në vazhdimësi”, bën të ditur policia kosovare.

Pasi kërkohet ndihmë nga policia, i pandehuri i acaruar me këtë veprim kërkon të dijë se kush e kishte njoftuar policinë, duke iu drejtuar me fjalë fyese, duke shkaktuar tek e dëmtuara keqtrajtim psikologjik dhe fizik, të cilat rezultojnë me lëndime të lehta trupore.

“Janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 187 par.1 nën par.1.1 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK-së) për caktimin e masës së paraburgimit, e do të argumentohen këto fakte dhe do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, deklarojnë nga Gjykata.