Një varrezë masive në Bishtazhin ka nxjerrë në dritë mbetjet mortore të 11 personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës, të cilët janë identifikuar pas 26 vitesh. Kryeministri Albin Kurti e cilësoi këtë një dëshmi të krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia.
“Pas masakrës së Kralanit, forcat shtetërore serbe rrëmbyen dhe groposën viktimat në këto varreza, me qëllim fshehjen e krimeve të tyre,” deklaroi Kurti. Ai kujtoi se më 2 prill 1999, forcat serbe kishin mbledhur me forcë mijëra burra dhe djem shqiptarë në një fushë në Kralan, ku i kishin mbajtur për dy ditë nën tortura, pa ujë dhe ushqim. Më 4 prill, 86 prej tyre, përfshirë 11 të mitur, u ndanë nga të tjerët dhe që atëherë nuk u panë më të gjallë.
Disa nga trupat e tyre u gjetën më vonë në liqenin e Peruqacit në Serbi, ndërsa të tjerë u zhvarrosën në Bishtazhin. Viktimat e identifikuara janë:
Adem Gashi
Sahit Gashi
Bekim Hasani
Sheremet Ismajli
Mentor Myrtaj
Osman Fejza
Shkelzen Hajdaraj
Bekim Gashi
Sabedin Kryeziu
Mentor Kryeziu
Vehbi Halilaj
Kurti shprehu ngushëllimet për familjarët dhe theksoi se përpjekjet për të siguruar drejtësinë dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve do të vazhdojnë. “Kujtimi për ata që dhanë jetën për lirinë që ne e gëzojmë, do të jetojë përjetësisht. Lavdi!” përfundoi ai.