Pas zbulimit të eshtrave të dy ushtarëve grekë ditën e sotme në Dragot të Tepelenës, ka reaguar edhe ministria e Jashtme e Greqisë.

Përmes një statusi në Twitter, e ka quajtur si historike zbulimin e eshtrave të dy ushtarëve, ndërsa ka vlerësuar punën që ka nisur ditën e sotme në këtë zonë.

“Historike gjetja e parë e eshtrave të dy ushtarëve grekë. Puna filloi sot, në prani të një komiteti të përbashkët greko-shqiptar, në një klimë të mirë.”, thuhet në reagimin e Ministrisë greke.

Gërmimet për të gjetur eshtrat e ushtarëve greke të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore nisen ditën e sotme, dhe duket se pas disa orësh kërkime janë zbuluar edhe eshtrat e para të dy ushtarëve grekë

Nga fotot duket edhe numri i identifikimit të njërit prej ushtarëve, i cili është vrarë gjatë luftimeve me italianët në këtë zonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Nisja e gërmimeve erdhi pas marrëveshjes së arritur mes Ministrit të Jashtë të Greqisë, Nikos Kotzias dhe Ministrit tonë të Jashtëm, Ditmir Bushati.

Vendimin për nisjen e punës për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë qeveria e vendit fqinj e ka cilësuar si një moment historik.