VLORË, 9 nëntor 2013 – Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika i cili është dërguar në gjykatë për falsifikim dokumentesh, ka deklaruar se është i pafajshëm. Për herë të parë, kryebashkiaku i Vlorës është shprehur publikisht në lidhje me akuzat që janë bërë ndaj tij, për shpërdorim detyre.
Ndërkaq është mësuar që seanca e parë ndaj Shpëtim Gjikës do të mbahet ditën e premte në datën 15 nëntor 2013. Gjyqtare e çështjes Gjika është caktuar Anastasi Shehu.
“Jam i pafajshëm dhe do të shprehem qartë për gjithçka ditën e premte në sallën e gjyqit. Deri më tani kam hezituar të dal të flas sepse çdo gjëje do ti përgjigjem vetëm gjykatës”, ka deklaruar Shpëtim Gjika, i cili u morr i pandehur në 25 tetor të këtij viti.
“Përderisa unë deri më sot kam qëndruar i heshtur, kjo nuk do të të thotë se këto akuza qëndrojnë, por duke qenë një njeri që respekton ligjin dhe institucionet, sigurisht që fjala dhe qëndrimi im do të jetë aty, ku institucioni i gjyqësorit do të japë fjalën me vendimin e tij”, tha kreu i Bashkisë së Vlorës duke ju referuar çështjes që tashme do të nisë gjykimin javën tjetër.
Gjika ka theksuar se do të jetë i pranishëm në seancë, duke respektuar institucionet.
“Unë nuk kam folur, kanë folur faktet dhe letrat të cilat janë përfaqësuar nga avokati që përfaqëson çështjen time dhe patjetër që do jem në sallen e gjyqit si njeri që ka respektuar deri tani institucionet e shtetit, ligjet e shtetit dhe patjeter që do të jem në sallën e gjyqit në shenjë respekti për punën time, qëndrimin tim, ndërgjegjen time dhe sigurisht për institucionin e gjyqesorit”, ka deklaruar Gjika.
Kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika ishte prezent tek Teatrit i qytetit ku grupi i valleve "Aulona Folk", ka organizuar një aktivitet në mbrojtje të tij.





