VLORE, 6 dhjetor 2013 – Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika foli dje për herë të parë për bisedat e tij me kryeministrin Rama, pasi ky urdhëroi prishjen e ndërtimeve pa dhe me leje në bregdetin e Vlorës. Gjika bëri një ndërhyrje telefonike në emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut ku diskutohej për planin e qeverisë për të shembur kompleksin "Jon", një pallat buzë detit në zonën pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë. "Kryeministrit i kam thënë: Nëse aty do shkojnë fadromat dhe do dalë dikush që të thotë që Shpëtim Gjikës i kam dhënë 'kafe' apo Gjika më ka bërë presion, unë dorëzoj çelësat në Shesh të Flamurit!", tha kryebashkiaku i Vlorës duke replikuar me kreun e ALUIZNI, Artan Lame dhe prefektin Besnik Dervishi.
"Kam një replikë me prefektin. Ta dish që ndërkombëtarët e marrin si model Vlorën. Është qyteti më i ruajtur, i shpëtuar nga ma-sakra. Leja për kompleksin është dhënë konform ligjit dhe nuk ka asnjë shkelje. Lugomarja po ndërtohet me paratë e bashkisë, Vlorë", tha Gjika në linjë telefonike. Prefekti Dervishi nuk kundërreplikoi ndërkohë që kreu i ALUIZNI-t: tha se "vetë Gjika ose specialistët e tij nuk e kanë parë mirë rregulloren kur kanë dhënë lejen" për kompleksin "Jon".
GJYQI NE VLORE
Është shtyrë sërish dje seanca gjyqësore në ngar-kim të kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika dhe shtatë personave të tjerë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe për ndërtim të paligjshëm. Seanca gjyqësore nisi në orën 11:30, por u shty për shkak se mungonte për arsye objektive avokati i të akuzuarit, Gentian Sherifaj, i cili kishte paraqitur raport mjekësor. Në këto kushte, pas konsultimeve të kryetares Anastasi Shehu, me përfaqësuesit e organit të akuzës, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për më 20 dhjetor. Sipas Shehut, arsyeja e mungesës së avokatit mbrojtës, Arjan Isufi, është plotësisht e ligjshme. Sikundër edhe në seancën e zhvilluar në datën 15 nëntor, në sallë ishte i pranishëm vetëm kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili në përfundim të saj, në një prononcim për mediat, theksoi se respekton ligjin dhe do ta respektojë atë, pikësëpari me prezencën e tij në gjykatë. Seanca e djeshme gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut vlonjat dhe shtatë personave të tjerë u prit me mjaft interes nga opinioni vlonjat dhe media, ndërkohë që në sallë ishin të pranishëm familjarë e të afërm.
KRYEBASHKIAKU
"Jam korrekt me ligjin, kjo është seanca e dytë që paraqitem, jam në paqe me ndërgjegjen time". Kështu ka deklaruar pas mbylljes së seancës, kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për kërkesën e prokurorisë së Vlorës për transferimin e dosjes në Tiranë, për shkak të presioneve, Gjika e ka quajtur absurde. "Sa për kërkesën e prokurorëve për transferim në një tjetër gjykatë, e mendoj si një kërkesë absurde sepse bëhet nga prokurorë që kanë një vit që hetojnë dhe kanë qenë të qetë e kanë hetuar me qetësi të madhe. Nuk e di ku e kanë gjetur këtë atmosferë jo të qetë, megjithatë nuk përbën asnjë problem, unë jam gati të përballem me çdo gjykatë, të shkoj edhe në Strasburg madje", u shpreh kryebashkiaku Gjika. Ndërsa ato pak minuta që zgjati seanca e djeshme gjyqësore, çështja e transferimit të kërkuar nga prokurorët e çështjes nuk është prekur fare.
/ Gazeta Shqiptare /





