Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka akuzuar ditën e sotme në Kuvend, Damian Gjiknurin për lidhje me atë që ai e quan “mafiozët e inceneratorëve”.
Gjatë fjalës Bardhi publikoi një foto me të dhënat që e sistemit TIMS që sipas demokratit tregojnë udhëtimet e shpeshta të Gjiknurit me përfituesit e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Nga ana tjetër, Gjiknuri deklaroi se ka qenë në Maltë vetëm një herë, duke i kërkuar Bardhin se nëse i vërteton se ai ka qenë dy herë në këtë vend do të japë dorëheqjen.
“Nuk doja ta merrja fjalën, por dëgjova emrin tim këtu krejt rastësisht. Ju keni një problem, problemin e keni me kontratat e inceneratorëve dhe si i kanë lëshuar ato apo me personat në fjalë? Se s’po e kuptoj. E dyta, në ato kontrata, ministria që kam drejtuar nuk ka asnjë rol. Për skenën që keni bërë kallëzim, çojeni deri në fund, por të përmendni këtu jo kështu e ashtu, kjo nuk është etike. Ti Gaz aq e ke, maksimumi do rrish te hija e tij, e do harrohesh bashkë me ta. Mos u mundo të ndërtosh karakterin tënd mbi shpije. Nëse gjen që unë e kam vizituar atë, vetëm njëherë si ministër, po gjete më shumë se një udhëtim, o unë, o ti në këtë sallë. Nëse gjen dy udhëtime të mija në Maltë, dil këtu e thuaji, ndryshe o unë, o ti në këtë sallë.”,- u shpreh Gjiknuri.





