Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri është ndalur në Durrës në kuadër të turit për prezantimin e drejtuesve politikë të Partisë Socialiste në qarqe.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Gjiknuri bën me dije se ka zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Socialiste në qytetin bregdetar ku ka prezantuar Adrian Çelën si drejtues politik të qarkut.

POSTIMI I PLOTË

Durrës, takim me strukturat e Partisë Socialiste, ku prezantova Adrian Çelën si drejtues Politik të Qarkut.

Jam i bindur që me eksperiencën dhe maturinë politike, suksesin e arritur në 25 Prill, Adrian Çela do të dijë ta përkthejë në fitore të tjera për Qarkun e Durrësit.

Është e nevojshme të fillojmë menjëherë punën për një analizë të rezultatit të 25 Prillit dhe ri-organizimin e Partisë Socialiste në çdo strukturë, për të dalë fitues në garën për zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe ato parlamentare të vitit 2025.

Vëmendja e qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama ndaj qytetarëve të këtij Qarku, do të vijojë të jetë maksimale edhe në këtë mandat të tretë qeverisës.