29 korrik 2013 – Në një konferencë për mediat, deputeti i PS Damian Gjiknuri është shprehur se, Partia Socialiste ka vendosur të tërhiqet nga kërkesa e saj për rivotim në qarkun e Lezhës, pavarësisht parregullsive që janë vënë re në procesin e votimit më 23 qershor."Zgjedhjet në qarkun e Lezhës janë të dështuara. Në Laç dhe në Mamurras qeveria dështoi në organizimin e zgjedhjeve të lira. Nga verifikimi i 6 qendrave të votimit rezultojnë se kanë votuar qindra qytetarë të cilët nuk kanë qenë në Shqipëri ditën e votimit dhe kjo është vërtetuar nga sistemi TIMS. Nga inspektimi grafik del qartë se janë mbi 200 mijë nënshkrime të cilat janë hedhur nga e njëjta dorë. Do të mjaftonin vetëm këto dhe zgjedhjet duhet të përsëriten brenda 4 javëve në gjithë qarkun e Lezhës, por  të vetëdijshëm për nevojën e vendit për përfundimin e shpejtë të procesit zgjedhor ne tërhiqemi nga kjo kërkesë”, është shprehur Gjiknuri.Më tej ai ka theksuar se: “kundërshtari politik po mundohet të ndërtojë alibinë e vjedhjes së zgjedhjeve dhe kjo alibi vetëm sa dëmton imazhin e Shqipërisë. Në asnjë vend tjetër, përveç Lezhës, nuk është vënë në dyshim rezultati i zgjedhjeve. Jemi të gatshëm edhe për hetim parlamentar të zgjedhjeve, ajo që na u privua ne në katër vitet e shkuara", përfundon fjalën e tij deputeti i PS.