Simone Biles, gjimnastja më e suksesshme në histori, me shtatë tituj olimpikë, nuk ka marrë pjesë në gara që nga triumfi i saj në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Pas asaj arritjeje madhështore, 28-vjeçarja vendosi të marrë një pushim të gjatë, duke hequr dorë nga i gjithë sezoni dhe Kampionati Botëror në Xhakarta, për t’u përqendruar në ekuilibrin mes shëndetit fizik dhe atij mendor.
Gjatë kësaj periudhe larg pedanave, kampionia me 23 tituj botërorë zbuloi në një intervistë për “E! News” se i është nënshtruar tri ndërhyrjeve estetike. Ndërhyrjet e zbuluara nga Simone Biles, përfshijnë: Zmadhim gjoksi (mastoplastikë shtesë), për modifikimin e formës ose volumit të gjirit, blefaroplastikë të poshtme për korrigjimin e qeseve nën sy dhe rregullim të llapave të veshëve. Biles shpjegoi edhe arsyet për dy prej tyre:
“Kisha disa qese të dukshme nën sy dhe, kur isha më e re, më ishte shqyer llapa e veshit pasi mu këput një vath”, tregon me sinqeritet gjimnastja. E ardhmja e kampiones amerikane në arenën konkurruese mbetet ende e pasigurt. A do ta shohim sërish në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”? Biles është e rezervuar, por e vendosur të jetë pjesë e tyre në një mënyrë apo tjetër: “Në një formë ose në një tjetër, do të jem në Lojërat e 2028-ës, nuk e di ende nëse do të jem në garë apo në tribuna”, përfundoi Simone Biles.





