Drejtoria rajonale e kulturës kombëtare (DRKK) Durrës njofton se të mërkurën, më 16 mars 2015, muzeu arkeologjik i Durrësit u përfshi në një atmosferë festive. Shkolla e mesme “Leonik Tomeo”, e cila është angazhuar në përkujdesjen dhe promovimin e muzeut arkeologjik, në kuadrin e lëvizjes “Miku i Monumentit”, kishte dje ditën e saj të Monumentit. Një grup studentësh nga Danimarka, të pranishëm këtu për një shkëmbim kulturor, kërkuan të merrnin pjesë në celebrimin e kësaj dite dhe iu bashkuan të rinjve të shkollës “Leonik Tomeo”.
Dita filloi në mjediset e shkollës, me organizimin e një bisede të lirë në gjuhën angleze midis të rinjve, të cilët u ndanë në disa grupe mikse. Më pas, vullnetarët nga “Miku i Monumentit”, shoqëruan të rinjtë nga Danimarka për në muze, duke u ofruar një guidë nëpër qytet, të cilën e kishin përgatitur më parë, në bashkëpunim me DRKK-në Durrës.
Në oborrin para Muzeut, të rinjve të grumbulluar aty, iu prezantua projekti i shkollës nga lideri i grupit të vullnetarëve të shkollës Aldo Bardulla. Duke pasur si qëllim të përdorin mënyra sa më kreative për ta promovuar muzeun dhe për të shtuar radhët e miqve të tij, ata hodhën idenë e krijimit të maskotës së muzeut. Pasi i studiuan të gjitha koleksionet muzeale, ata vendosën të caktonin imazhin e Artemisës, perëndeshës më të adhuruar nga qytetarët e Durrësit në periudhën antike. Ata krijuan një imazh të saj dhe përgatitën veshjen si Artemisa për njërën nga vullnetaret aktive të rrjetit, Danielën. Gjithashtu, ata përgatitën një guidë, në formën e një përralle të treguar nga “hyjnesha Artemis”, për një grup fëmijësh.
Fëmijët e ftuar për guidën ishin nga shkolla 9-vjeçare “Jusuf Puka”, e cila nuk është pjesë e rrjetit, por ka qenë gjithmonë aktive për të bashkëpunuar në projekte kreative. Pas guidës së veçantë dhe tërheqëse të Danielës, edhe të rinjtë danezë vizituan muzeun. Oborri jashtë muzeut u përfshi nga tingujt festivë dhe këngët e vallet e të rinjve.