Shefqet Kërcelli
Në zbatim të detyrës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, për promovimin e aktivitetit të Forcës Detare dhe thithjen e kontigjentit të detarëve profesionistë, Komanda dhe Shtabi i Forcës Detare kanë hartuar një program të veçantë, ku përfshihen vizita në anije, takime e biseda me detarë të vjetër, etj.
Konkretisht paraditen e datës 21 dhjetor 2015, pjesë e këtij promovimi ishin një grup maturantësh të shkollës së mesme “Ismail Qemali” në Tiranë. Fillimisht nxënësit e kësaj shkolle u pritën në molin “0” të portit të Durrësit nga Zv/Komandanti i FD, Kapiten i Rangut të I-rë Adnand Agastra dhe kuadro të anijeve “Iliria”, “Lissus” dhe Motovedetës heroinë të FD, R-118.
Mbas urimit të mirëseardhjes zoti Agastra i shpjegoi vizitorëve detyrat kryesore që kryejnë anijet tona në det, operacionet humanitare dhe ato për zbatimin e ligjshmërisë, çfarë përfaqson profesioni i bukur i marinarit, anijet në përdorim të FD, që nga MV,R-118, anija “Iliria”, “Lissus” deri tek anijet më të shpejta për luftën kundër trafiqeve detare, “ARCHANGEL”, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA.
Më pas maturantët e “Ismail Qemalit” zhvilluan një lundrim në gjirin e Durrësit me anijen “Lissus” ku u njohën jo vetëm me bukuritë e gjirit të Durrësit, por panë dhe punën direkte të detarëve tanë nëpër poste luftarake. Zonja Aida Nova, nëndrejtoreshë e Shkollës “Ismail Qemali” u shpreh e entusiazmuar për këtë eksperiencë të re bashkëpunimi mes shkollës dhe Forcës Detare. “Ne kemi zhvilluar aktivitete me komunitetin dhe shoqata të ndryshme, por ky i sotmi është tepër mbresëlënës”, shpjegoi zonja Nova. Ndërsa zonja Desara Karaj, mësuese kujdestare, ndërkohë dhe studjuese e historisë, u interesua për traditën dhe Historinë e Detarisë së Popullit Shqiptar, të cilën e pa të zgjeruar tek libri “Antologji e Detarisë Shqiptare”.
Në vijim të lundrimit djemtë dhe vajzat maturantë veç fotove të shumta në anije dhe detit të paanë, shprehën dëshirën që mbas studimeve të arësimohen në shkollat e detarisë brenda dhe jashtë vendit. Maturantët Ambra Shehu, Jurgen Lubonja, Amarildi Tomorri, etj, provuan uniformën dhe kapelen e marinarit në urën e komandimit të anijes. “Duam të bëhemi kapitenë anijesh!”, thanë këta të rinj. “Mirë, mirë, por më parë duhet të jesh marinar!”, tha dikush tjetër.
Kështu për mëse tre orë, ky grup rinor provoi ndjesitë, ëndrrat dhe emocionet që të dhuron zanati i detarit. Ne jemi popull detar dhe më këto aktivitete ne i zgjojmë ëndrrën dhe dëshirën të rinjve tanë që të kualifikohen e trajnohen për tu bërë pjesë e Flotës sonë Tregëtare ose Luftarake. Kështu tradita e detarisë shqiptare do jetojë në shekuj. Ky ishte dhe mesazhi i këtij aktiviteti mbresëlënës.