Edhe pse nuk studion për arte, Mikel Kuqali, gjimnazisti i talentuar, hedh në telajo me mjeshtëri imagjinatën e tij. Ekspozita e tij “Kërkim” u hap mbrëmjen e datës 18 gusht në galerinë “Nikolet Vasia” në qytetin e Durrësit dhe korri sukses të vërtetë.
Një nga ish-mësueset e tij, Merita Thartori, drejtoreshë e shkollës “14 nëntori” u shpreh se Mikeli ka qenë një djalë shumë i talentuar. Një nga pikturat që tërhoqi vëmendjen ishte edhe portreti i veçantë i Nënë Terezës, i realizuar me të gjitha ngjyrat, pasi vetë ajo fliste me të gjitha ngjyrat e botës.
Në muret e galerisë janë varur tablo që i përkasin teknikave të ndryshme duke filluar që nga surrealizmi, impresionizmi, post- impresionizmi etj.
“Kjo është ekspozita e parë dhe ajo që mbahet mend përgjithmonë”,- thotë Mikeli.
Ekspozita “Kërkim” do të qëndrojë e hapur deri më 23 gusht. Tablotë shumëngjyrëshe që duken përtej xhamave të galerisë i ftojnë qytetarët të futen brenda dhe të habiten me artin e këtij djaloshi energjik.
R.O.





