Gjimnazisti nga Durrësi, Erdi Jorgoni ka denoncuar këtë të shtunë nga selia e PD-së disa mësues, që sipas tij e bullizojnë politikisht, pasi janë militantë partiakë.
Teksa vetë konfirmoi pjesëmarrjen, Jorgoni i bëri thirrje bashkëmoshtarëve të tij që t’i bashkohen protestës së 7 korrikut.
“Unë jam Erdi Jorgoni, 17 vjeç, nga Durrësi. Jam këtu sot në këtë Foltore për të thënë se do t’i bashkohem protestës së Frontit të Shpëtimit kombëtar më 7 korrik, por jo vetëm kaq. Vij për të thënë se unë jam një i persekutuar politik.
Edhe pse në moshë të re, edhe pse në vitin 2022, edhe pse në qytetin e Durrësit. Në gjimnazin ku unë mësoj, për arsye të angazhimit dhe bindjeve politike të djathta, të mia dhe të familjes, jam bërë disa herë subjekt i bullizmit politik.
Këtë e kanë bërë mësuesit e mi, ata që duhet të ishin mentorët tanë. Kjo vjen për një arsye: më shumë se arsimtarë ata janë militantë partiakë. Kjo ka çuar në politizim të shkollës, në mediokritet të stafeve pedagogjike dhe në korrupsion të notës. I ftoj të rinjtë durrsakë, dhe nga gjithë Shqipëria, t’i bashkohen protestës së 7 korrikut. Kur rrezikohet liria e bindjes dhe e shprehjes rrezikohemi të gjithë. Rrezikohet Shqipëria.“, u shpreh ai.