Tiranë, 25 prill 2014 – Një gjimnaziste e shkollës së mesme “Aleks Buda” në zonën e Laprakës, Tiranë ka rënë nga kati i tretë rreth orës 12:15. Pikasja nga nëndrejtori e gjimnazistes që së bashku me një shoqen e saj po tentonte të linte ambjentet e shkollës gjatë zhvillimit të orëve mësimore, duket se e ka çuar 17-vjeçaren në aktin ekstrem, duke u hedhur nga dritarja e korridorit të katit të tretë të shkollës për të rënë në tarracën e katit të dytë të godinës.

Nëndrejtori ka rrëfyer se i ka pyetur vajzat nëse kanë marrë leje dhe ka marrë përgjigjen prej dy nxënëseve se ka qenë mësuesja kujdestare ajo që i ka dhënë leje. Por pas verifikimeve nëndrejtori ka konstatuar se për vajzat nuk ka pasur asnjë leje, çka dyshohet të ketë shtyrë adoleshenten të ndërmarrë aktin ekstrem, i cili mund të kishte përfunduar me pasoja tragjike.

Nga informacionet paraprake mësohet se e reja D.E. ka shpëtuar, por ka marrë lëndime të shumta në trup dhe për këtë është shoqëruar për në spitalin e Traumës për të marrë ndihmën e parë.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur verifikimin e rrethanave të ngjarjes.

 

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/