Berat Gjimshiti dhe Atalanta arritën marrëveshjen për transferimin e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare në Serinë A. 22-vjeçari cilësohet si një përforcim i rëndësishëm për trajnerin Edy Reja, pas dëmtimit të Paletta-s dhe largimit të paevitueshëm të Stendardo-s.

Rreth kalimit të Gjimshitit në elitën e futbollit italian, zbulohen edhe detajet e kontratës së ish-lojtarit të Zyrihut. Një operacion me kosto të ulët, duke qenë se klubi zviceran e cilësoi të pavlefshëm mbrojtësin për projektin, duke njoftuar prishjen përpara kohe të kontratës.

Në këtë mënyrë, Zyrihu pranoi ta largojë kuqeziun pa pagesë, ndërkohë që vlera e Gjimshitit në merkato vlerësohet rreth një milion euro. Tek Atalanta, talenti i Shqipërisë do të firmosë kontratë për tre vjet e gjysmë, me rrogë 250 mijë euro në sezon, por edhe një klauzolë që pagesa do të vijë në rritje gjatë qëndrimit në Bergamo. Në orët në vijim, Berat Gjimshiti do të zhvillojë edhe vizitat mjekësore me klubin zikaltër, për të formalizuar më pas kalimin në Serinë A. Përforcimi me mbrojtësin 190 centimetër të gjatë është vlerësuar si një goditje mjaft e studiuar për Atalantën, kjo sepse me kualitetin që zotëron Gjimshiti, ofron garanci për qendrën e mbrojtjes, por mund të luajë edhe në krah.

Megjithë moshën shumë të re ka eksperiencë të jashtëzakonshme, me 180 ndeshje të luajtura në Superligën zvicerane, ku ka shënuar 12 gola, është ndëshkuar me 25 kartonë të verdhë dhe asnjë të kuq.