David Gjinollari ishte një nga më të mirët në fushë në ndeshjen Teuta-Tirana 2-2. Mesfushori i majtë i Teutës shënoi golin e dytë me kokë, që i dha avantazhin e përkohshëm durrsakëve. Ai ndihet i lumtur për golin, të cilin ia dedikon të gjithë ekipit të tij.
“Kemi arritur të zhvillojmë një ndeshje të mirë ndaj Tiranës, ku pavarësisht një pike, ky rezultat na jep besim për vazhdimësinë. Të gjithë e dimë që jemi totalisht ekipi i ri dhe nga ndeshja në ndeshje do të jemi akoma më të fortë. Sigurisht që të gjithë jemi të kënaqur me këtë ndeshje, por mendoj se duhej të shënonim në rastet që na u krijuan, sepse vetëm kështu do të mund të shmangnim tensionin e minutave të fundit.
Gjithsesi, tani le të përqendrohemi te Laçi. Goli? Normalisht më gëzon, pasi ishte goli im në Superiore, por më vjen keq që nuk kishte vlerën e tri pikëve. Ky gol u shkon të gjithë shokëve dhe stafit të ekipit”, deklaroi Gjinollari.