Lojtari i Teutës, David Gjinollari, mendon se ka ardhur momenti që Teuta të vijojë me rezultatet pozitive në këtë kampionat dhe t’i largohet sa më shpejt pjesës së poshtme të tabelës. Mbrojtësi polivalent i durrsakëve, thekson se grupi i lojtarëve do të japë shpirtin në fushë për ta fituar këtë ndeshje.

Si është gjendja në skuadër?

Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Harmonia dhe çdo gjë është në rregull. Tani shpresojmë që t’ia dalim me sukses në ndeshjen e radhës me Partizanin. Në gjashtë ndeshje keni pësuar vetëm një humbje.

Sa të kënaqur jeni nga ecuria e këtyre javëve?

Mendoj se ka ndryshuar shumë, sepse trajneri Edi Martini e njeh mirë ambientin. Ka futur një frymë të re. Ne ia kemi dalë në këto ndeshje dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë ecuri, sepse jemi në pozita shumë të vështira.

A është e motivuar skuadra për të ruajtur ecurinë pozitive?

Skuadra ka qenë gjithmonë shumë e motivuar, por patjetër rezultatet e mira sjellin një gjendje më të mirë psikologjike. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vijomë me këtë lojë të mirë dhe rezultate pozitive duke filluar që nga ndeshja e së shtunës përballë Partizanit.

Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Partizanit?

Normalisht që është një sfidë e vështirë, por për ne është ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet, sepse ne kemi si synim për të fituar këtë duel dhe shpresojmë që t’ia dalim mbanë.

Si e parashikoni këtë takim, do t’ju kënaqte edhe një pikë me Partizanin?

Siç e përmenda më lart, Teuta është e ndërtuar për të fituar në çdo ndeshje. Teuta nuk është kurrë e kënaqur me barazimin, do të kërkojmë maksimumin në këtë takim. E kemi studiuar Partizanin, ia dimë pikat e forta dhe pikat e dobëta. Do të jetë një përballje interesante.

Deri ku mund të shkojë skuadra këtë sezon?

Jemi ende herët për të dhënë verdikte se ku mund të arrijmë. Tani nisi faza e ndeshjeve më të vështira të kampionatit. Na presin ndeshje të vështira, por unë mendoj se do t’i arrijmë ato objektiva që kemi, pasi kemi shumë ndeshje përpara dhe shpresojmë ta mbyllim me sukses.