David Gjinollari me golin e tij u dha një pikë durrsakëve ndaj Dinamos. Mbrojtësi i Teutës, ka folur për ndeshjen e radhës me Laçin. Fillimisht ai ka treguar gjendjen e tij që po kalon, dhe është i bindur që Teuta do të bëjë maksimumin për të marrë pikët e plota në këtë duel, që është shumë i rëndësishëm për ecurinë e bluve në kampionat.
Nuk dolët pa pikë ndaj Dinamos. Mund të themi se jeni të kënaqur?
E rëndësishme është që, siç e thatë dhe ju, nuk dolëm pa pikë, edhe pse rastet ndoshta ishin më të pastra dhe ne me pak fat mund t’i shfrytëzonim më mirë për të marrë maksimumin nga kjo sfidë. Edhe kundërshtari pati rastet e veta ku mund të na ndëshkonte. Morëm atë që mundëm dhe dolëm me “kokën lart”. Na duhet të punojmë më shumë për sfidën e radhës çdo ndeshje është shumë e rëndësishme, sidomos në këtë fund kampionati.
Sa i kënaqur jeni me formën e treguar?
Një futbollist asnjëherë nuk duhet të jetë njëqind për qind i kënaqur me formën e vet, pasi synon gjithmonë të japë më shumë. Të them të drejtën, jam përshtatur mirë dhe po ndihem i kënaqur, mirëpo besoj me kalimin e kohës do ta jap akoma më shumë.
Sa i kënaqur jeni që gjetët golit e parë këtë sezon?
Në këtë periudhë jam stërvitur fort dhe po arrij të jem në formën time, por që më gëzon goli. Do të ishte një kënaqësi e veçantë po të kishim marrë pikët e plota, por shpresoj të fitojmë edhe ndaj Laçit.
Pesë ditë kohë për një super ndeshje ndaj Laçit?
Vijmë nga një barazim në një ndeshje që duhej të fitohej. Barazimi nuk ishte rezultati që ne prisnim. Por ndaj Laçit ne do të futemi vetëm për tri pikët, pasi synimi ynë është të jemi sa me shpejt larg zonës se kuqe.
Një pikë është e pranueshme apo llogarisni vetëm tre?
Në dëshirën dhe llogaritë tona janë gjithmonë vetëm tri pikë. Patjetër që pikët merren në fushë, por e rëndësishme është që ne të bëjmë maksimumin. Të bëjmë një lojë të mirë sesa pikë do të marrim, do ta shohim në fund pikët varen dhe nga mënyra se si luajmë, kam shumë dëshirë që të bëjmë një lojë të mirë. Rastet që do na paraqiten t’i shfrytëzojë kjo është shumë e rëndësishme dhe më pas në fund të ndeshjes do të shohim dhe do t’i bëjmë një analizë të thellë.