David Gjinollari është i kënaqur nga faza përgatitore që Teuta po zhvillon. Mbrojtësi i majtë luan sezonin e dytë në Durrës dhe pret të shpërthejë me fanellën e “djemve të detit”. Sipas tij, është momenti që të bëjë më të mirën dhe të shkëlqejë në kampionat. Për ekipin, objektivat personalë, por jo vetëm, Gjinollari foli në këtë intervistë
David, si do ta përshkruanit sezonin tuaj të parë në Superiore me fanellën e Teutës?
Nuk jam i kënaqur me veten, pasi pres gjithmonë më shumë. Megjithatë, duke qenë se ishte vetëm viti i parë, mund të them që shkoi mirë në aspektin personal, por nga ana tjetër si skuadër nuk mund të jemi të kënaqur. Nuk arritëm atë që dëshironim.
Keni mbyllur fazën në Bullgari dhe tashmë përgatitjet vijojnë në Durrës… Si po ecin gjërat me trajnerin Longo?
Kemi zhvilluar një fazë përgatitore prej 17 ditësh në Bullgari, me kushte jashtëzakonisht të mira. Skuadra po bën stërvitje mjaft efikase, ku serioziteti dhe profesionalizmi janë në rend të çdo dite. Me trajnerin Longo po mësojmë shumë. Ai ka filozofinë e tij dhe çdo gjë besoj shkon siç duhet. Është një periudhë shumë pozitive, pasi kemi marrë ngarkesën e duhur gjatë qëndrimit në tokën bullgare. Por, më e rëndësishmja është që e kemi ekipin e plotë. Për fat, nuk kemi pasur asnjë dëmtim, pasi dihet që fazat përgatitore janë gjithnjë të rrezikshme. Besoj se kemi bërë paraqitje të mira edhe në miqësore.
Çfarë ndryshimesh ka bërë trajneri Longo?
Dora e tij në skuadër qe ndier që në fillim kur ka ardhur. Trajneri na i ka bërë të qartë ato që kërkon nga ne si lojtarë dhe po punohet çdo ditë për këtë.
Cili është objektivi i Teutës në këtë sezon?
Objektivi i parë si çdo sezon ka qenë Europa. Kampionati dihet që çdo vit bëhet edhe më i fortë, por ne do të luftojmë deri në fund. Kemi një grup të mirë lojtarësh dhe nuk besoj se do të zhgënjejmë.
Duke parë ekipin që keni, ku është gërshetuar eksperienca dhe djemtë e rinj, cili mund të jetë rivali juaj për Europën?
Rival direkt nuk mund të themi, sepse varet si të merr kampionati, por në do të përgatitemi fort për t’i përballuar të gjitha skuadrat. Shpresoj të kemi fat.
Të shtunën luani miqësoren e radhës ndaj Egnatias, çfarë ndeshje prisni?
Jemi totalisht të përqendruar te kjo ndeshje, pavarësisht se është një miqësore. Do ta vlerësojmë maksimalisht, pasi është ndeshja e fundit para startit të sezonit të ri dhe duhet të jemi në tonus. Rëndësi ka të bëjmë atë lojë që kërkon trajneri, pasi është provë gjenerale para Partizanit.