David Gjinollari shënoi golin e parë në karrierën e tij në Kategorinë Superiore dhe pikërisht në portën e Tiranës, ku më parë ka qenë pjesë e të rinjve në akademinë bardheblu. Mbrojtësi i majtë luan sezonin e tij të dytë te Teuta dhe është nga të preferuarit e Diego Longos për formacionin. 24-vjeçari foli për startin e kampionatit, golin dhe objektivin e durrsakëve këtë sezon.
David, goli i parë në Superiore erdhi pikërisht ndaj Tiranës…
Jam shumë i lumtur që shënova ndaj Tiranës, por më vjen keq që nuk i dhashë tri pikët ekipit. Besoj se ky barazim na shërben në rritjen e moralit për vazhdimësinë e kampionatit. Jemi më të qetë dhe të bindur se do të bëjmë mirë në vazhdim.
Kampionatin e nisët me barazim. Mund të bënit më shumë?
Sigurisht që jam i kënaqur. Tirana është një skuadër e fortë dhe mendoj se e menaxhuan mirë ndeshjen, edhe pse ata na e bënë pak të vështirë. Pësuam gol shpejt dhe e nisëm keq, por gjetëm forca për të reaguar. Ia dolëm të kthenim ndeshjen në favorin tonë falë karakterit të djemve. Treguam se kemi një skuadër që nuk dorëzohet.
Ju vjen keq që pas përmbysjes nuk arritët ta mbronit avantazhin?
Skuadra meritonte më shumë me atë që tregoi. Ishim 0-1 dhe shënuam shpejt dy herë ndaj Tiranës. Kjo është domethënëse për skuadrën tonë.
Çfarë ju tha trajneri Longo pas sfidës?
Ai është krenar me punën që po bëjmë të gjithë. Ndeshja e parë në kampionat na dha shpresë për cilësinë e lojës dhe agresivitetin që kërkojmë. Këto na japin më tepër siguri që ekipi po funksionon.
Si e shihni ndeshjen ndaj Laçit?
Na pret një sfidë më e fortë se kjo që kaluam. Do të japim maksimumin dhe më pas se çfarë do të rezervojë ndeshja, do ta shohim në fund.