TIRANE – Për kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, viti 2012 është viti i dështimeve spektakolare. Kreu i PSD-së cilëson si dështimet më të mëdha mos marrjen e statusit kandidat për në BE dhe dështimin e privatizimeve të Albpetrolit dhe Operatorit të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
“Viti i ligjërimit të korrupsionit dhe kthimit të tij në një virtyt dhe cilësi për politikanët. Ishte viti i rënies tërësore të institucioneve të pavarura nën kontrollin e klanit qeverisës”, shprehet Gjinushi.
Ndryshe nga mazhoranca, ai mendon se, “refuzimi i statusit të vendit kandidat për tre vjet radhazi erdhi për shkak të vjedhjes së votës, për shkak të korrupsionit rekord, për shkak të degradimit të Kuvendit” dhe për këtë “ka vetëm një përgjegjës, që është qeveria aktuale”. “Kjo tregon se rrugën shqiptarëve drejt Evropës ua kanë zënë të korruptuarit”, ka shtuar kreu i PSD-së.
Gjithashtu Gjinushi ndryshe nga partia kryesore opozitare, kërkon rrëzimin e koalicionit qeveritar PD-LSI për vitin 2013 dhe jo thjesht “luftë” kundër Berishës me të gjitha forcat.
“Urimi më i mirë për vitin 2013 do të ishte një qeveri e re pa të korruptuarit e koalicionit PD-LSI. Viti 2013 do të jetë viti fitores së madhe, viti i luftës ndaj të korruptuarve, pastaj ndaj korrupsionit. Ky vit identifikoi qartazi të majtën moderne, të majtën e sotme me figura të shquara, me figura si ajo e Fan Nolit dhe Luigj Gurakuqit, dhe të djathtën e Sali Berishës me atë të Ahmet Zogut”, ka deklaruar kreu i PSD-së.