TIRANE, 8 qershor 2013 – Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi shpreh pasiguri për pozicionin e LSI-së, pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Gjinushi shprehet se ekziston vetëm rregulli moral dhe jo i shkruar, që një parti që ka një marrëveshje parazgjedhore me një parti tjetër të mos kalojë në anën tjetër. Sa i përket debatit për kryeministrin, nëse duhet të jetë Edi Rama apo Ilir Meta, Gjinushi tha se kjo është ambicie e Metës, i cili kur kalon në anën e majtë ka të tilla pretendime. Sa i përket debatit të hapur për nenin 96 të Kushtetutës, Gjinushi, ish-kryetar i Kuvendit shprehet se të drejtën për të krijuar qeverinë e merr ajo parti apo koalicion që siguron 71 vota. Në këtë pikë ai shprehet se në mënyrë që të sigurohet fitorja e opozitës së majtë duhet të rriten votat për PSD-në. 
 

Ju si parti nuk do të keni komisionerë në KZAZ. A keni marrë garanci të plotë nga Partia Socialiste për ruajtjen e votave tuaja, në mënyrë që të mos ndodhë si zgjedhjet e shkuara? 

Jo vetëm që kemi marrë garanci, por absolutisht PS-ja është në mbrojtjes të së majtës, sepse e gjithë beteja jonë 4-vjeçare ka qenë vota e lirë dhe e ndershme, ruajtja e votës, numërimi i drejtë i votës dhe me radhë. Kështu që e majta e ka edhe në parimet e veta që duhet mbrojtur vota dhe jo më vota e aleatit. Prandaj nuk kemi çfarë garancie më shumë të marrim, përveç garancisë që komisionerët të jenë të tillë që jo vetëm kanë vullnetin pozitiv, por edhe kanë aftësi mbrojtëse. Krahas kësaj pastaj ne kemi vëzhguesit tanë, pikërisht për të parë rastet kur mund të çedohet për arsye subjektive dhe personale të njërit apo tjetrit komisioner. 

Marrëveshja juaj me PS nuk u bë publike asnjëherë. A patët ju një marrëveshje dypalëshe me zotin Rama, ashtu si partitë e tjera aleate? 

Ne kemi një marrëveshje në parim. Nuk kemi hyrë kurrë në detaje. Kjo është një traditë e PSD-së që nga 2001-shi, apo 1997, pavarësisht nga ç’kanë dashur të thonë ndonjëherë kur kanë justifikuar gjoja se PSD –ja kërkon shumë apo pak, absolutisht, kjo e pavërtetë, bie poshtë edhe me qëndrimin që po mbajmë tani. Pra. Ne nuk hyjmë në terma pazaresh para zgjedhjeve. Ka vetëm një parim, bashkëqeverisje mbi votë, bashkëqeverisje mbi mandate. Kjo është shkruajtur në platformën e përgjithshme. Kjo është sanksionuar edhe në marrëveshjen dypalëshe, ku thuhet vetëm parimi. Kështu që kjo është e mjaftueshme për gjithçka do vijë mbrapa. Ndaj ne sot kemi qëllim të parë fitoren, por fitoren edhe të përgjithshme, edhe të PSDsë. PSD-ja të jetë pjesë e Kuvendit dhe pastaj e qeverisjes, sepse PSD-ja i duhet jo vetëm vetes, por edhe të majtës, sepse është pjesa më e fortë dhe më e qëndrueshme e së majtës, pjesa më e pastër e së majtës. Dhe atë ç’ka duan votuesit që duan ndryshim, është pikërisht ajo që presin një qeveri të pastër, presin një qeveri që lufton korrupsionin, presin një qeveri që nuk shkel ligjin, nuk shkel Kushtetutën, mbron institucionet dhe jo sulmon institucionet dhe këto janë tipare thelbësore të PSD-së, e cila është garante për këto, sepse ka qenë garante edhe kur ka qenë në pushtet edhe kur ka qenë në opozitë. 

Ju si parti e keni provuar që keni mjaft vota në rang kombëtar. Si do përkthehen në mandate qeverisëse ato? Si keni rënë dakord me kreun e PS? 

Ne e kemi theksuar që votat tona mjaftojnë për të marrë mandatet. Prandaj edhe ne s’e kemi patur me ankth faktin nëse do bëhej edhe taktika e futjes në listat e PS-së. Pra, për ne s’ka qenë domosdoshmëri. Mund të ishte një mesazh pozitiv, por nuk është fundi i botës, sepse e ritheksoj në mandatet kryesore në qarqet kryesore i marrim me votën tonë. Kur them me votën tonë, qoftë të viteve para 2009, qoftë të 2009. Edhe nga 2009 del që ne kapëm vota sa për 3 mandate dhe po të futen edhe ato që nuk u numëruan, nuk po merremi me manipulimet e tjera. Vetëm me pjesën e mosreflektimit në procesverbal mund të jenë hequr 15-20 mijë vota. Por të ishin ato ne do kishim 3-4 deputetë që na takojnë. Tani jemi në një klimë tjetër, sepse është opozita në rritje dhe brenda opozitës janë ato parti që kanë bërë me opozicion. Pra, ndryshimi i madh do të thotë të largojmë qeverisjen aktuale. Rrjedhimisht janë të penalizuara partitë që kanë qenë pjesë e qeverisë dhe janë të favorizuara partitë që kanë bërë opozicionin më të qartë ndaj kësaj qeverie. Duke shtuar edhe këto elementë, PSD është ndër të vetmet, për të mos thënë e vetmja që nuk i shet mandatet e majta. Është e vetmja që e lufton korrupsionin edhe në pushtet, edhe në opozitë dhe është e vetmja që e mbron fort të majtën ndaj agresivitetit ndaj Sali Berishës dhe PD-së dhe patjetër që rezultati duhet të jetë më pozitiv se 2009, jo i shkruari, por ai reali, vota do jetë më e mbrojtur dhe rrjedhimisht ne do të kemi mandatet tas të zgjedhë vagonin që do, pa u trembur se ka votë dëm apo shkon në favor të një tjetri apo jo. Nuk shkon në favor të askujt. Vota shkon së pari për të majtën, pastaj përkthehet ose jo në mandat PSDje. Po nuk u përkthyer i ngelen PS-së, kjo është e gjitha. Pra për pasojë nuk ka asnjë motiv që një i majtë i fortë apo i zhgënjyer të votojë për PD-në me frikën se mos shkon vota dëm apo shkon tek ndonjë parti tjetër. Këto shkojnë për të majtën dhe për PSD-në. Në qarkun e Tiranës votat shkojnë për të mandatuar kryetarin e PSDsë në Kuvend. Kush do që ta bëjë këtë të votojë 35 në Tiranë. Kush vlerëson se ka preferencë më të madhe në të majtë është e drejtë të zgjedhë dikë tjetër. 

Zoti Gjinushi, këto ditë është diskutuar edhe nga konstitucionalistë ajo çfarë përcakton neni 96 i Kushtetutës. Sipas jush, nëse PS si koalicion ka arritur të marrë shumicën e votave pro nga ana tjetër është PD si subjekt që ka marrë më shumë vota, kush duhet të krijojë qeverinë?

Vetëm në Shqipëri për çdo nen kushtetues hapet debati. Kushtetua jonë është nga më të qartat dhe është bërë kastile që ta lexojnë në rregull edhe njerëz si Sali Berisha. Pra nuk ka Kushtetutë kaq të detajuar në tërësi dhe nuk ka Kushtetutë kaq të deformuar siç bëhet në vazhdimësi këtu tek ne, pra kur nenet kryesore të saj merren gjoja interpretohen dhe kur nuk ju del as interpretimi merren gjoja me frymën. Kushtetuta është fare e qartë që thotë që presidenti në rast vakance apo menjëherë pas zgjedhjeve përcakton emëron kryeministrin me propozim të shumicës parlamentare. Duhet të kesh mbi 71 vota që të kesh të drejtën për të krijuar qeverinë. Pra, ai grup deputetësh që kap të drejtën për të krijuar qeveri. Shumica parlamentare propozon. Duhet të kesh 71 firma. Dhe shkon e i thua, Z.President, ne me 71 deputetë, në emër të partisë filan apo të partive filan propozojmë… dhe a është një ajo partia apo janë disa s’ka rëndësi. Rëndësi ka që duhen 71 mandate për të patur të drejtën të krijosh qeveri. Atje ku thuhet partia e parë, nuk propozon kryeministër partia e parë, në asnjë vend të botës, por ngarkohet partia e parë të krijojë shumicën. E thërret presidenti të parën dhe i thotë krijo shumicën dhe sill kryeministrin dhe ai vjen ja sjell në emër të shumicës, prapë edhe atëherë, nuk ja sjell në emër të vet. Kur ka shumicë vetë e çon krijon, kush ka 71 votat. Partitë dalin dhe pastaj vendosin se ku do shkojnë. 

Po a mund të dalë për shembull një parti nga koalicioni parazgjedhor dhe të shkojë po themi me PD-në, pas zgjedhjeve? 

Këtë e them bazuar në deklaratat e kreut të LSI-së se pas zgjedhjeve nuk do të kalojë me PD-në.. Nuk e ndalon askush. Është vetëm rregull moral. Ai moralin e ka shumë të fortë. Kështu që është i sigurt që kalon me PD-në. Ndaj them unë që duhet të rriten votat për PSDnë dhe të ulen ato për LSI-në. 
 

Si e cilësoni këtë debatin që është hapur së fundmi Rama apo Meta kryeministër, sepse nuk kemi një pozicionim të qartë nga zoti Meta? 

Kjo ka dy gjëra: Një bëhet për të rritur pjacën, (nivelin) është provokative. Pra LSI do të krijojë opinionin që LSI as nuk diskutohet që është në qeveri, del forcë e madhe, madje synon edhe postin e kryeministrit dhe me këtë jo vetëm që ul pjacën, por gënjen shumë më shumë njerëz që shiko se ne do krijojmë shumë pushtet, prandaj edhe premtimet e mëdha duhet të besohen. Edhe sloganin e ka Punësim, nuk thotë Punë për të gjithë, por punësim për ata që na votojnë ne. Ky është parimi. Ndërsa e dyta: Nuk është se thjesht e bëjnë për efekt elektoral, por e kanë ambicie. Është e njohur kjo lloj ambicieje dhe ngrohjeje e LSIsë. Eshtë përdorur edhe në kohën e Nanos, kur thuhej unë kryeministër, ose e majta në opozitë dhe e realizoi. Po të përçash votat e majta e realizon se nuk është ndonjë gjë e madhe. Ca i përçamë edhe vetë ne në 2005 se përdorëm “Dushkun” në mënyrë të mbrapshtë dhe humbëm zgjedhjet duke fituar votë popullore. Të njëjtën gjë e përdor edhe tani. Ne kjo gjë nuk na ka pëlqyer kurrë. Një parti e dytë, e tretë apo e katërt nuk mund të ketë kurrë kusht kryeministrin, nuk mund ta ketë kurrë ambicie. Kryeministrin mund ta kenë ambicie partitë e vogla, vetëm kur ka një konsensus parazgjedhor, kur vetë koalicioni që është krijuar bie dakord të jetë “x”. Madje kjo lançohet dhe bëhet publike dhe fushata bëhet me atë kryeministër. Për shembull siç vinte Italia Romano Prodin apo siç ka qenë Kraksi për Italinë përsëri. Këto thuhen para. Kur këto gjëra nuk janë thënë nuk ka arsye për të gjetur një autoritet jashtë partiak apo qoftë edhe të një partie të vogël për hir të një bashkimi, atëherë është rregull i mirënjohur që partia e parë kur është dukshëm e parë, është ajo që zgjedh edhe kryeministrin. E keqja është se LSI këto pretendime të mëdha i ngre kur vjen në të majtë. Kurse kur shkon në të djathtë ai ul kokën, nuk ka kaq pretendime, pranon të rrijë edhe jashtë qeverie, madje pranon të rrijë edhe i pandehur.

/BW/