DURRES, 26 prill 2013 – Zonja e Parë, Odeta Nishani do të jetë nesër së bashku me një grup gjimnazistësh për të pastruar bregdetin e Gjirit të Lalëzit nga mbeturinat urbane.

Në njoftimin e bërë nga zyra e Presidencës thuhet se: “Më datë 27 prill 2013, ora 10:00, Zonja e Parë e Shqipërisë, Odeta Nishani, në kuadër të nismës: “E shtuna e fundit e çdo muaji-Dita e Pastrimit Mjedisor”, do të jetë në Gjirin e Lalëzit se bashku me një grup nxënësish dhe vullnetaresh për të dhënë kontributin e tyre në pastrimin e mjedisit”.

Korpusi i Vullnetarëve është angazhuar të shtunën, në datën 27 prill, për të organizuar disa aksioneve për pastrimin e qyteteve, plazheve dhe mjediseve të tjera publike. Nxënës, studentë, intelektualë e qytetarë të tjerë do të jenë bashkë për të pastruar dhe përcjellë një mesazh të fortë ndaj të gjithëve. 

“Unë i ftoj të gjithë shqiptarët që ta shndërrojmë këtë ditë në ditën e reflektimit qytetar, për ta pastruar vendin tonë dhe për ta ndryshuar këtë realitet të shëmtuar”,- thotë zonja Nishani në një njoftim për shtyp.

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/