Një 30-vjeçar u arrestua dje nga Policia e Gjirokastrës, e cila sekuestroi nga automjeti i tij 5 kg heroinë dhe 10 kg Cannabis sativa. Në kuadër të operacionit të koduar “Stafeta” u bë edhe arrestimi i shtetasit Ervis Canka, 30 vjeç, banues në Përmet. Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një automjet tip Mercedes-Benz po transportonte lëndë narkotike, është ngritur një pikë kontrolli në aksin rrugor Tepelenë – Përmet, në vendin e quajtur Ura e Leklit. Në pikën e kontrollit është afruar automjeti i dyshuar, me targa AA 828 NC,  me drejtim lëvizje Tepelenë – Përmet, ku drejtues mjeti ishte shtetasi Ervis Canka, i cili sëbashku me automjetin e tij u shoqërua për në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër për një kontroll më të imtësishëm.

Nga kontrolli i automjetit rezultoi se në pjesën e pasme kishte një hapësirë midis sediljes së pasme dhe bagazhit, brenda së cilës u konstatuan 10 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, të mbështjella me natriban me peshë totale 5 kg e 150 gr, si edhe 10 pako lëndë narkotike e dyshuar Cannabis sativa, të mbështjella me natriban me peshë totale 10 kg. Brenda në automjet u konstatuan dhe u sekuestruan dhe 6 aparate celularë.