Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes tragjike të ndodhur më 20 prill në fshatin Valare, ku një 15-vjeçar, V.P., u gjet i vetëvarur në ambientet e jashtme të banesës së tij.

Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas marrjes së informacionit nga Komisariati i Policisë Gjirokastër, me urdhër të Drejtuesit të Prokurorisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor me përfshirjen e prokurorit të seksionit për të mitur dhe atij të gatshëm.

Grupi hetimor ka kryer veprimet e para hetimore duke përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ekspertizën mjeko-ligjore, sekuestrimin dhe analizimin e telefonave dhe pajisjeve elektronike të të miturit, si dhe të materialeve të tij shkollore. Janë marrë gjithashtu dëshmi nga persona që kanë dijeni për rrethanat e rastit, përfshirë edhe punonjës të institucioneve përgjegjëse për trajtimin e tij.

Prokuroria bën me dije se nga hetimet paraprake nuk janë gjetur prova apo indicie që të lidhin këtë ngjarje me ngacmime apo bullizëm nga bashkëmoshatarët – një pistë që u përfol gjerësisht në rrjetet sociale dhe në opinionin publik.

Hetimet vijojnë me prioritet të lartë për të sqaruar në mënyrë të plotë shkaqet që çuan në aktin ekstrem, si dhe për të analizuar çdo veprim apo mosveprim nga ana e autoriteteve përgjegjëse në trajtimin e të miturit.