Në prag të nisjes së edicionit të tretë të turneut të boksit “Titans Fight”, emocionet janë të forta mes pjesëmarrësve. Palestra në krah të Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” ishte e mbushur plot mbrëmjes e së enjtes.

Boksierë nga të gjitha moshat vazhdonin stërvitjen e rregullt, ndërsa ethet e së dielës nuk kanë mbërthyer vetëm ata që do të ngjiten në ring, por të gjithë.

Boksieri kryesor i “Titanëve” të Durrësit, Ardit Murja, do të duelojë me një rival nga Gjeorgjia. Për të stërvitja vazhdon edhe gjatë këtyre ditëve, ndërsa ndihet shumë në formë për përballjen më të fundit dhe shpreson një fitore në ringun e pallatit të sportit “Ramazan Njala”.

Ethet e turneut kanë përfshirë edhe trajnerin e njohur Elton Kikrri, i cili përveç ndjekjes së stërvitjes së “titanëve” pjesëmarrës, po merret deri në detajet më të vogla me organizimin e edicionit të tretë të këtij eventi.

“Fatmirësisht nuk kemi asnjë dëmtim tek boksierët pjesëmarrës”,- shpjegon ai, ndërsa shton se është i bindur që eventi i së dielës do të jetë një spektakël i vërtetë, sporti ndërthurur me humor dhe muzikë.

Mexgit Hysenaj është një tjetër prej “titanëve” që do të ndeshen në ring, por në disiplinën kick boks.

Përballja e tij do të jetë me një rival 30-vjeçar nga Italia.

Për “DurrësLajm”,“gladiatori” Hysenaj tha se prej 2 vitesh i është përkushtuar këtij sporti dhe do të jetë ringu që do të vendosë fituesin e përballjes së të dielës.

Në orën 18.00 të së dielës, pallati i sportit në Durrës pritet të transformohet në një arenë gjigande të mbushur plot sportdashës, që do të shijojnë për disa orë me radhë ndeshjet e boksit, por dhe numrat e humorit dhe këngët e disa prej emrave më të njohur të ekranit dhe skenës shqiptare.