Dy ditë pas vrasjes së bosit të mafies në Greqi, Giannis Skaftouros, mediat helene kanë publikuar dëshminë e vajzës së tij.

Katerina Skaftouros rrëfen se ngjarja ndodhi në më pak sekonda dhe se ajo kishte pikasur 3 persona që qëlluan me kallashnikov.

“Kam parë 3 persona me kallashnikov. Nëna ime kujton 4 persona . Ishim në panik. Nuk dëgjuam asnjë makinë. Ata u hodhën nga gardhi, na thanë ‘uluni poshtë dhe bërtitën ‘Gjon Gjon’. Nëse nuk do ta gjenin babain tim, do të na vrisnin të gjithëve. Erdhën për të vrarë pa menduar fare”, përshkruan vajza e biznesmenit 55-vjeçar e cila kujton se në ato sekonda dramatike, pranë të atit ishte edhe nipi i saj vetëm 3 vjeç.

Njëkohësisht ajo thekson se gjithçka ka ndodhur në më pak se një minutë, ndërsa plumbave të ekzekutorëve nuk i kanë shpëtuar as motra.

“Gjithçka ndodhi në 30 sekonda. Autorët u futën brenda oborrit dhe na u afruan neve. Babai u distancua prej nesh dhe ata e qëlluan. Në fillim menduam se ishin oficerë policie” – thotë e bija.

Ndër të tjera, ajo tregon se vëllezërit e saj ishin 500 metra larg shtëpisë dhe nuk kishin parë asnjë makinë të lëvizte në mënyrë të dyshimtë në momentin e diskutimit.

Sipas mediave greke, atentatorët që qëlluan Skaftouros ishin 4, ndërsa të paktën 1 tjetër priste jashtë në makinën me të cilën ata u larguan.