Gleart Gusholli mbajti peng për një javë dhe dhunoi në mënyrë makabre të dashurën e tij 28-vjeçare.
Gazetarja Klodiana Lala e cila ka qenë e pranishme në spitalin e Traumës pasi mësoi lajmin, tregoi në një intervistë për Euronews Albania se kishte parë plagët në trupin e të resë.
Klodiana Lala: Në një moment ajo ngriti tutën që mbante veshur dhe kishte komplet trupin të goditur me majën e thikës. Ne nuk e dimë akoma se çfarë ka ndodhur brenda asaj shtëpie, nëse ka pasur persona të dytë apo të tretë të përfshirë. Ne kemi rrëfimin e një vajze që cilido qoftë motivi, problemi është se sot një djalë 31-vjeçar i cili më herët ka qenë në burg në Austri…vajza e ka pritur sa ka dalë nga burgu dhe të rinisin jetën së bashku dhe ai ka shkuar deri aty, sa dhuna ka qenë aq e tmerrshme dhe aq barbare sa vajza ka menduar të vrasë veten,” Gazetarja tregoi se vajza ka pirë ilaçe, është ngjitur në katin e pestë për t’u hedhur dhe djali nuk e ka lejuar me arsyetimin se ajo duhet të vuajë.
Kujtojmë se 28-vjeçarja e cila u mor peng për një javë nga i dashuri dhe u dhunua sistematikisht ka folur për mediat në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Ajo ka treguar se 31-vjeçari Gleart Gusholli e ka dhunuar me këmbë karrigeje, shkelma dhe grushte. “Glearti me ka dhunuar me këmbë karrigeje, me godiste me shkelma dhe grushte. Kam tentuar të hidhem nga i pestë nga dhuna”, ka thënë e reja.
Sakaq avokati mbrojtës i saj Enea Cenko ka kërkuar mbrojtje për klienten e tij. “Drejtësia të flasë për rastin, kërkojmë mbrojtje dhe siguri për jetën e vajzës”, ka deklaruar Cenko. 28-vjeçarja iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale pas dhunës barbare të Gleard Gushollit.