Shkalla e parë e Gjykatës së Posaçme e cilëson të ligjshëm sekuestrimin e sendeve dhe dokumenteve të dy familjarëve të kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe vëllait Arbër Veliaj. Ndërsa në apel avokatët kanë ankimuar vendimin për kontrollet e ushtuara në datën 6 dhjetor, në banesat dhe zyrat e tyre.
Gjatë këtyre kontrolleve të oficerëve të BKH u sekuestrua celulari i Ajola Xoxës dhe disa dokumente në zyrën e saj. Gjithashtu dhe Arbër Veliajt i kanë sekuestruar dokumente të ndryshme.
Sipas avokatëve, në vendimin për kontrollet, nuk janë specifikuar sendet dhe dokumentet që duhet të sekuestroheshin. Në Apel ata pritet të japin argumentet e tyre duke pretenduar se nuk ekzistonte asnjë shkak i ligjshëm për të ushtruar kontrolle familjarëve të kryebashkiakut të Tiranës.
Në njoftimin zyrtar të shpërndarë para pak ditësh, SPAK sqaroi se ka kryer veprimet hetimore në bazë të një procedimi penal të regjistruar, pa specifikuar emra, duke deklaruar se nuk mund të bënte të ditur më shumë detaje.
Në lidhje me kontrollin e ushtruar në banesën e tij, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se është i hapur dhe e mbështet në çdo hap SPAK. Ai deklaroi se nuk i përket asaj klase politike që e cilëson veten të paprekshëm.