Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kaloi sot për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë.

Gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli javën e kaluar shqyrtimin e dosjes, pas një procesi 8-mujor, që kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim ndaj Metës e Kryemadhit, të dy të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Në këtë proces të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, mamaja e ish-kryetares së LSI. Xhixho, babai i zv. presidentes aktuale të PL-së Erisa Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa dy të tjerat për pastrim parash.