Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të lënë në burg ish-ministrin Lefter Koka, në një prononcim për mediat avokati i tij, Fatmir Braka, e cilësoi si jonormale këtë masë sigurie.

Ai tha se ish-ministri nuk është pyetur asnjëherë për këtë çështje.

Teksa u shpreh se kallëzimi i bërë ndaj Kokës është politik, avokati theksoi se ai akuzohet për shpërdorim detyre, kur e gjithë procedura, e gjithë korrespondenca, që u paraqit sot në Gjykatë tregon që aty Koka nuk ka asnjë përgjegjësi.

“E vërteta është që ai akuzohet për shpërdorim detyre, kur gjithë procedura, gjithë korrespondenca, që ai paraqiti sot është që aty nuk ka asnjë përgjegjësi. Nuk u tha sot nga prokuroria që ka marrë 3.7 milionë euro, përkundrazi dhe për korrupsionin që flitet, duhet provuar që është bërë ky korrupsion. Edhe sot u morëm me veprën penale të shpërdorimit të detyrës si ministër. Nuk ka përgjegjësi Koka si ministër.

Nuk është normale që ai të jetë person nën hetim, nuk është pyetur asnjëherë. Fillimi i këtij procesi ka qenë politik. Sot mora vesh që është bërë dhe një shtojcë nga LSI. Pra, është politik.

Nuk është normale që një person, ish-ministër, ish-deputet, të merret befas nën hetim e të arrestohet, kur nuk është pyetur asnjëherë. Nuk është absolutisht normale që ish-ministri të merret i arrestuar. Kallëzimi është politik. Do bëjmë ankimin tonë në Gjykatën e Apelit”, tha avokati Braka