GJKKO ka dhënë vlerësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për shefin e Antidrogës së Durrësit i arrestuar mbrëmjen e 15 gushtit 2024 pasi akuzohet si pjesë e një skeme gjobëvënieje ndaj pronarit të një klubi nate tek Ura e Dajlanit.

Gazmir Preçi, shefi i Trafiqeve dhe Narkotikëve në Policinë e Durrësit u arrestua nga AMP, sapo mori shumën prej 10 mijë Eurosh nga pronari i lokalit të natës, që është dhe personi që e kallëzoi atë. Vendtakimi për dorëzimin e parave ishte në Tiranë, në afërsi të zonës së Kinostudios.

Sapo denoncuesi i ka dhënë një pjesë një pjesë të parave, kanë ndërhyrë oficerët e AMP. Nga hetimet e këtyre të fundit ka rezultuar se Preçi duke e kërcënuar se do t’i mbyllë lokalin, i ka vënë gjobë prej 20 mijë Eurosh pronarit të biznesit. Sipas biznesmenit, shefi i policisë i bënte presion atij se do i mbyllte biznesin me argumentin e kishte të punësuar persona të cilët nuk i kishte të siguruar në punë.

Pas arrestimit të Gazmir Preçit, AMP sekuestroi shumën prej 10 mijë Eurosh dhe dy aparatet celulare të tij. Për operacionin e zhvilluar reagoi dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha i cili inkurajoi autoritetet për ndëshkimin e kujtdo punonjësi policie që hiqet si padron i qytetarëve dhe bizneseve, dhe jo si shërbëtor i ligjit.