Ish-kryeministir Sali Berisha duhet të paraqitet ditën e sotme, në orën 14:00 në ambientet e Gjykatës së Posaçme, pasi është marrë i pandehur për çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Oficerët e Policisë Gjyqësore, i dorëzuan dje ish-kryeministrit thirrjen dhe vendimin e marrë për të, për masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Ndërkohë, vetë Berisha u shpreh se nuk do të jetë sot në Gjykatë, ku dhe do të mbahet seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj tij. Në emisionin “Çim Peka Live” mbrëmjen e së hënës ish-kryeministri tha se nuk ka marrë njoftim dhe se ndaj tij nuk ka hetim. Ai madje mosprezencën në gjykatë e justifikoi se nuk do të shkelë Kushtetutën, pasi duhet të mblidhet Kuvendi dhe në rast se gjithçka bëhet sipas ligjit Berisha theksoi se është i gatshëm që të paraqitet në Gjykatë.
“Nuk kam asnjë hetim, asnjë njoftim. Nuk refuzoj kurrë të paraqitem në gjykatë apo në prokurori, por në rastin konkret, ka një bllokim të plotë Kushtetues në këtë rast, i cili vjen pasi unë bëra çdo përpjekje në pushtet që ta zhduk këtë pengesë. Ta paraqesin siç është Kushtetuta, e cila thotë në mënyrë taksative se deputetit nuk mund t’i kufizohet liria në asnjë forme, pa miratimin e Kuvendit. Mblidh parlamentin, siç thotë Kushtetuta. Vetë e ke bërë. Unë kam qenë në variantin tjetër, po u paraqit kjo në parlament, unë e miratoj”, tha Berisha.
Sali Berisha akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.