Gjykata e Posaçme ka caktuar një tjetër masë sigurie “arrest në burg” për Firdeus Berberin që u ekstradua nga Greqia. Berberi akuzohet nga prokuroria si pjesë e grupit të Laert Haxhiut dhe roli i tij është zbuluar nga dëshmia e Artan Tafanit.
Sipas këtij të fundit, në shkurt të vitit 2023, Berberi në bashkëpunim me Laert Haxhiun dhe një anëtar tjetër të grupit kanë vjedhur me dhunë një automjet në Durrës, për ta përdorur më pas për ngjarje kriminale. Gjatë një operacioni të policisë për arrestimin e Artan Tafanit në zonën e Astirit në Tiranë dy efektivë policie janë kërcënuar me armë nga Berberi që më pas u largua me vrap.
Në atë kohë Berberi ishte në kërkim për plagosjen e Johan Muçllarit në Pogradec dhe fshihej në Tiranë. Ndaj tij është caktuar masë sigurie edhe nga gjykata e Pogradecit pasi akuzohet për për “Vrasje me dashje” të mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa lejë të armëve”.